
Një grup hakerësh i quajtur “Shaltai Boltai” të afërt me Ukrainën, pretendojnë të kenë hakuar adresën elektronike (e-mail) të Aleksandër Dugin, i njohur gjerësisht si “truri i Vladimir Putinit” dhe kryeidollogu i të ashtuquajturës “botë ruse”, shkruan Insajderi.
Ndër email-ët që u raportuan t’i kenë shtënë në dorë, Dugin flet se si në entitetin serb të Bosnje-Hercegovinës, “Republika Srpska” dhe në Mitrovicë të Veriut, “serbët vazhdojnë ta duan me pasion Rusinë, dhe besojnë në të”.
Dugin flet për ultranacionalistin seb të BeH-së, Milorad Dodik, se si ai “po i përqendron forcat për pavarësi nga Bosnja”.
“Dodik u nis rrugës së tij në luftën për popullin serb. Ai u pajtua me disa nga kërkesat e perëndimit kështu duke e zbutur nacionalizmin serb, por vetëm sa për të koncentruar forcat, të rivendos Republika Srpska-n, dhe të krijojë infrastrukturën e nevojshme për pavarësinë eventuale. Prandaj aty, si dhe në Mitrovicë të Veriut, serbët ende e duan Rusinë me pasion, dhe besojnë në të dhe në vete (në fund të fundit, ‘janë 200 milionë serbë dhe rusë’, që secili serb i vërtetë e di)”, thuhet në email-ët tij, siç raportoi Oslobodenje, përcjell Insajderi.
Dugin mes tjerash thotë se Federata Ruse ka shumë çfarë të pres nga Presidenti i “Republika Srpska”-s, Milorad Dodik./Insajderi/