![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Përfaqësuesi i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, Dragan Nedeljkoviq ka thënë se serbët që u ndaluan dje në Zveçan, ende nuk janë liruar, duke shtuar se sipas premtimeve të KFOR-it, të gjithë pjesëtarët e njësive speciale të Kosovës do të tërhiqen sot deri në orën 15:00.
Nedeljkoviq ka njoftuar gazetarët se mbrëmë rreth orës 21:30 përfaqësuesit e Listës Serbe kanë biseduar sërish me komandantin e KFOR-it, i cili u ka thënë se janë në pritje të shkresave për lirimin e serbëve të ndaluar.
“Sipas informacioneve që kam, ata nuk janë liruar ende. Fakti është se KFOR-i ua ka dorëzuar menjëherë shqiptarëve”, tha Nedeljkoviq, përcjell Insajderi.
Ai shtoi se komandanti i KFOR-it ka paralajmëruar se një pjesë e njësive speciale do të tërhiqen nga Zveçani gjatë natës dhe se do të tërhiqen plotësisht deri në orën 15:00 të ditës së sotme.
“Kemi ardhur të presim deri në orën 15:00 që të gjithë të largohen”, tha Nedeljkoviq. /Insajderi