Në fshatin Llabjan të komunës së Novobërdës, një shtetas kosovar me kombësi serbe ka sulmuar dhe demoluar shkollën e fshatit, ambulancën, xhaminë dhe disa shtëpi private.
Nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, e ka konfirmuar sulmin e ndodhur për Klan Kosovën, por nuk ka mundur të japë detaje se me çfarë është kryer sulmi nëpër këto objekte dhe për çfarë arsye.
Ndërsa imami i fshatit, Nazmi Gashi, ka thënë se sulmuesi ka thyer inventarin e xhamisë me një mjet të fortë – pa mundur ta përcaktojë atë.
Gashi tregoi se, fatmirësisht, më momentin kur është kryer sulmi nuk ka pasur persona në xhami, ndaj nuk është lënduar askush.
Ndërsa ende nuk dihet nëse ka të lënduar nga sulmi që ka ndodhur në objektet tjera, apo shtëpitë private.
Mësohet se personi është arrestuar nga policia, por ende nuk dihen motivet e sulmit të tij./Insajderi.com