Serbi i kapur me eksploziv në Prishtinë del para gjykatës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbi i kapur me eksploziv në Prishtinë del para gjykatës

    Insajderi
    21 June 2016 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në gjykimin ku akuzohet për terrorizëm, Sllobodan Gavriq sot pritet ta paraqesë mbrojtjen e tij.

    Gavriq të cilit iu gjetën 12 kilogramë eksploziv në veturën me të cilën erdhi nga Beogradi në Prishtinë, pritet vetë ta japë mbrojtjen e tij.

    Gavriq do ta japë versionin e tij për eksplozivin që iu gjet në dhjetor të vitit 2014 kur policia e ndaloi makinën që drejtonte në lagjen “Arbëria” të Prishtinës.

    Gavriq gjatë seancave të deritashme nuk e ka pranuar fajësinë për përgatitjen e veprave terroriste dhe atyre kundër rendit kushtetues, ndërsa mbrojtja e tij dhe vetë ai në vazhdimësi e kanë kundërshtuar pretendimin e prokurorisë për këto vepra, duke u arsyetuar se i akuzuari ishte vetëm transportues i eksplozivit.

    Në seancën e kaluar gjyqësore ka dëshmuar eksperti i eksplozivëve Muhamet Rushiti, i cili para gjykatës ka thënë se qentë e Policisë së Kosovës nuk kishin arritur ta zbulonin dhe identifikonin këtë eksploziv.

    Ai në seancën e kaluar ka dhënë sqarime edhe për rrezikun e eksplozivit brenda të cilit ishin gjetur bulonë dhe pjesë metalike.

    Eksperit Rushiti, duke iu referuar raportit të FBI-së për eksplozivin e gjetur te Gavriqi, ka thënë se ky lloj eksplozivi është eksploziv plastik i llojit PETN, më i fuqishmi që prodhohet aktualisht.

    Sipas Rushitit, ky lloj eksplozivi ka një shpejtësi të shpërthimit prej 8 mijë e 400 metër për sekond.

    Rushiti kishte thënë se eksplozivë të tillë prodhohen vetëm nëpër fabrika shtetërore me kritere shumë të ashpra.

    Prokuroria Speciale më 10 korrik 2015 ngriti aktakuzë kudër Sllobodan Gavriqit.

    Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriq, ka përgatitur kryerjen e veprën penale të terrorizmit ashtu që gjatë muajit dhjetor të vitit 2014 në Beograd është furnizuar me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 gramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, njofton televizioni publik.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Gavriqi këtë sasi të eksplozivit e ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë me veturën e ti “Renault Clio” kur rreth orës 21:00 në Lagjen “Arbëria” është ndaluar nga Policia e Kosovës me ç‘rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin ishte vendosur eksplozivi.

    Sipas aktakuzës, eksplozivi i Gavriqit, ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark