Për ofrimin një vendi për të fjetur për emigrantët në bujtinën e tij në Sombor të Serbisë, Sinisha Sevo është quajtur tradhtar nga ekstremistët serbë të së djathtës ekstreme dhe është kërcënuar me vdekje në rrjete sociale.
Fotografia e tij dhe e pesë të tjerëve si dhe të dhënat personale u publikuan në posterë që u vendosën në tërë qytetin me rreth 80.000 banorë. Këtë veprim e bëri grupi i së djathtës ekstreme, “Patrulla e Popullit”, që i akuzoi gjashtë personat për përfitim duke ofruar strehim të paligjshëm për emigrantët.
“Ky është qytet i vogël dhe kur dikush të etiketon ashtu, kjo çon peshë”, tha Sevo për Radion Evropa e Lirë. Policia thotë se është duke zhvilluar hetime, por ndërkohë Sevo është detyruar që ta mbyllë bujtinën.
Në qytetin Sombor, afër kufirit me Hungarinë, refugjatët dhe emigrantët mbahen në një qendër të menaxhuar nga shteti e që nuk po arrin t’u bëjë ballë shifrave të mëdha. Bujtinat private, si ajo e Sevo-s, po e përmbushin këtë mungesë të hapësirës. Kjo nuk po u pëlqen ekstremistëve të së djathtës.
“Qytetarë të Somborit, këta janë fqinjët tuaj që në mënyrë të paligjshme lëshojnë strehim me qira për emigrantët”, shkroi grupi “Patrulla e Popullit” në faqen e vet në Facebook, ku ka mbi 43.000 ndjekës.
Ky veprimi nxiti valë urrejtjeje. “Ka pasur edhe komente si: varini në pemë”, thotë Sevo. Të tjerët i quajtën tradhtarë dhe thanë se këta persona duhet të dëbohen nga shteti bashkë me emigrantët.