Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me urdhër të Departamentit Special për Shuarjen e Korrupsionit të Prokurorisë së Lartë Publike në Nish, kanë arrestuar tetë policë nga Stacioni Policor i Kurshumlisë dhe një polic në pension për shkak të dyshimit për ryshfet.
Të arrestuarit janë B.S. (1970), Z.S. (1968), S.B. (1968), I.M. (1973), N.P. (1968), G.A. (1968), D.P. (1973), D.F. (1969) dhe polici në pension G.Ć. (1965), kanë bërë të ditur nga MPB-ja, shkruan kosovo-online, transmeton Klan Kosova.
Ata dyshohet se në periudhën shtator 2019 deri në tetor 2020, në vendkalimin administrativ Merdare, kanë kërkuar dhe marrë para nga personat për të mos kryer kontroll dhe ekzaminim të atyre personave, të cilët me autorizim kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë.
Në këtë mënyrë kanë siguruar një përfitim pasuror të kundërligjshëm prej disa mijëra eurosh.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohen në prokurorinë kompetente.