“Rruga Ballanike” më nuk është itinerari që trafikantët e drogës po e përdorin për të transportuar lëndë narkotike në vende të ndryshme evropiane dhe botërore.
Kështu ka thënë Qeveria e Serbisë në një dalje publike të dielën paradite duke treguar se rruga tradicionale e trafikantëve të drogës ka ndryshuar duke shkuar jo më nëpërmjet Serbisë por nëpërmjet Rumanisë dhe Bullgarisë.
E njëjta sipas tyre vlen edhe për drogën heroinë, e cila vjen nga territori i Afganistanit ose Turqisë dhe hyn në territorin e Rumanisë.
“Kontrolli kufitar ka treguar se kufijtë se fakti që kufijtë e Rumanisë dhe Bullgarisë janë të hapur me BE-në, ka bërë që trafikantët të zgjedhin këtë rrugë për të transportuar drogë, drejt destinacionit që janë vendet e BE-së”, ka thënë Milan Pekiç, drejtor i Zyrës për Luftimin e Drogave.
Sipas tij, rrugët e reja te kontrabandës së drogës janë zhvendosur në rrugët nëpërmjet Detit të Zi, dhe këtë e fakton edhe numri i madh i konfiskimeve të bëra në porte.
Numri më i madh i konfiskimeve sipas Pekiç janë kryer në portin e Konstancës në Rumani që është porti më i madh në Detin e Zi.
“Sa i përket marihuanës, shpërndarja më së shumti bëhet nga Shqipëria dhe Mali i Zi, me destinacion vendet e BE-së”, ka thënë Pekiç, raproton Insajderi.
Kosova sipas Qeverisë së Serbisë mbetet një vend nga i cili hynë shumë lëndë narkotike në Serbi, por më shumë se Kosovën, Serbia del të ketë problem me vendet e tjera si Maqedonia e në mënyrë specifike me Shqipërinë.
“Droga që hyn nga Kosova e Metohija, është shumica hashash, që vjen nga Shqipëria”, ka thënë Pekiç.
Sipas të dhënave zyrtare në Serbi gjatë vitit 2015, janë konfiskuar 1.6 ton lëndë narkotike të llojeve të ndryshme dhe se janë ndërmarrë mbi 6 mijë veprime policore. Disa prej drogave më të përdorura në Serbi, bazuar në sasinë e konfiskimit janë 6 lloje: 1.3 tonë janë konfiskuar marihuanë, 69.8 kilogram heroinë, 18.4 kilogram kokainë, 10.6 kilogramë hashash, mbi 25 kilogram amfetaminë dhe 6.2 kilogram ekstazi.
“Numri i qytetarëve të varur nga droga në Serbi sillet rreth 60 deri në 80 mijë “, tha Pekiç./Insajderi.com