Mediat serbe shkruajnë se Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq janë në presion të vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian për t’iu bashkuar nismës për sanksione ndaj Rusisë, për shkak të helmimit dhe burgosjes së liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny.
Sipas gazetës “Novosti”, zyrtarëve serbë në disa raste u është sugjeruar se do të ishte mirë që Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE të ndjekë rrugën politikën e jashtme të Brukselit.
“Këtë e ka refuzuar presidenti Vuçiq”, shkruajnë mediat serbe të enjten.
Sipas mediave, ky refuzim mund t’i kushtojë Serbisë në rrugën evropiane, por edhe në negociatat me Kosovën.
BE-ja të martën, njoftoi se vendimit të saj i janë bashkuar vendet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, si tri kandidate tjera për anëtarësim në BE. Po ashtu, këtë nismë për sanksione e kanë pranuar edhe Ukraina, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia.
“Këto vende sigurojnë se politikat e tyre nacionale janë në përputhje me vendimit e Këshillit, Ne e përshëndesim këtë”, thuhet në komunikatën e Josep Borrellit, përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Në fakt, Serbia ka vite që politikën e jashtme e mbështet në një lloj oportunizmi – mirë me të gjithë.
Vuçiq në shumë raste ka përsëritur se katër shtyllat e Serbisë në politikën e jashtme janë: Rusia, Kina, SHBA-ja dhe BE-ja.