Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008, për rolin e tij udhëheqës në sjelljen e pavarësisë në Kosovë dhe rolin në Namibi, gjithashtu edhe për ndalimin e konfliktit në Irlandën e Veriut, ka rrëfyer një pjesë nga përvoja e tij gjatë procesit të negociatave për statusin e Kosovës.
Në një rrëfim në tetor të vitit 2008, disa muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë, Ahtisaari përpara audiencës pas pranimit të Çmimit Nobel për Paqe e tregon një shembull sesi i ka parë ai negociatat.
“Më lejoni t’ju jap një shembull sesi i shikoj unë negociatat për Kosovën, sepse njerëzit kanë një përshtypje krejtësisht të gabuar se ne thjesht ulemi aty, unë si ndërmjetës, këtu delegacioni nga Serbia dhe delegacioni nga Kosova. Njerëzit presin që negociatat të nënkuptojnë se ne duhet të gjejmë disi një kompromis mes këtyre të dyjave. Por, situata shumë shpesh në negociata është që, le të marrim një shembull, se Serbia është si një hajdute që ka vjedhur kuletën nga Kosova”, thotë Ahtisaari në këtë paraqitje.
“Dhe nëse unë jam ndërmjetës, nuk po i këshilloj se hajduti serb mund të vendosë vetë se sa para do t’i japë atij të cilit i vodhi kuletën. Ai duhet ta kthejë kuletën e mallkuar dhe më pas me shumë mundësi të shkojë në burg për atë që bëri. Pra, kjo është ajo që shpeshherë janë negociatat. Ju duhet të bëni atë që është e drejtë”, thotë tutje ish presidenti finlandez.
Sipas tij, gjërat shkuan aq shumë larg saqë zgjidhja e vetme kishte mbetur dhe të gjithë, Beogradi, Prishtina, serbët e Kosovës, e dinin që nga tremujori i parë i vitit 2006 kur pesë anëtarët e Grupit të Kontaktit, të gjithë anëtarët perëndimorë, u thanë këtyre dy palëve dhe serbëve të Kosovës si vijon.
“Ishin tetë mesazhe private, nuk do t’ju shqetësoj ju dhe publikun për t’i lexuar të gjitha, por të parën do ta lexoj: Heqja antikushtetuese e Autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe ngjarjet tragjike që pasuan dhe rezultuan në administrimin ndërkombëtar të Kosovës kanë çuar në një situatë në të cilën kthimi i Kosovës në sundimin e Beogradit nuk është një opsion i zbatueshëm. Të gjithë e dinin që pavarësia po vinte, por kryeministri Koshtunica (ish kryeministri serb) dhe kompania e tij u sollën sikur nuk kishin dëgjuar se çfarë u thanë atyre. Epo, e dini, serbët mendojnë se Kosova është kuleta e tyre dhe ju ua keni hequr atë”, patithënë Ahtisaari.
Më pas ai pyetet nga moderatori për një Rezolutë të OKB-së, respektivisht të Këshillit të Sigurimit, në të cilën thuhej se Jugosllavia nuk do të shpërbëhej kurrë. Ai tutje vazhdon se këtu janë dy anë të kësaj historie, mirëpo përgjigjja e Ahtisaarit është e shpejt dhe e qartë:
“Jo, nuk janë dy anë të historisë, ka vetëm një anë të historisë. Sepse, në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme pranoi parimin, përgjegjësinë për të mbrojtur. Nëse një udhëheqje diktatoriale në cilindo vend sillet ashtu siç silleshin Millosheviqi dhe kompania e tij ndaj shqiptarëve në Kosovë, ata humbasin më të drejtën për t’i kontrolluar ata. Dhe kaq ishte. Kjo ishte ajo”, ishte përgjigjja e ish ndërmjetësit të OKB-së për statusin e Kosovës.
Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare.
Siç ka bërë të ditur faqja zyrtare e Presidencës finlandeze, Ahtisaari vdiq në mëngjesin e së hënës në Helsinki.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, ka thënë presidenti aktual finlandez, Sauli Niinistö.