Kryeministri Albin Kurti darkoi mbrëmë në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit tha se VV s’ka qenë kundër dialogut as në të kaluarën.
Si opozitar, Kurti kishte kritikuar ish-shefat e qeverive të kaluara për takimet e krerët e Serbisë.
Në një fjalim të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës, Kurti kishte thënë:
“Ne si Kuvend i Kosovës duhet t’i formulojmë kërkesat për Serbinë dhe zyrtarisht të ja dërgojmë Serbisë. Këto gjëra na i ke borxh e mandej bëjmë dialog”.
“Nuk bën dialog pa i formuluar kërkesat për Serbinë. Ajo neve na ka borxh. Borxhlisë duhet të ja kërkojmë borxhin dhe këtë gjë duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës”, u drejtohej Kurti deputetëve .
Kurti, tani kryeministër tha se në darkën joformale me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Berlin, nuk ka pasur gjella të ndryshme, duke aluduar që Kosova ka qenë e barabartë me Serbinë.
“Në atë darkë, nuk kemi pasur gjella të ndryshme, pra ka qenë barazia e palëve dhe i kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit, midis kryenegaciatorëve”, është shprehur ai.
Ai u pyet edhe nëse mendon se ka thyer parimet e tij të mëparshme politike.
“Pra, pavarësisht se a ka darkë apo jo dhe pavarësisht se çfarë darke është unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj por në të njëjtën kohë edhe me krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar”, tha i pari i qeverisë .
Në Prishtinë ka pasur reagime të shumta, ku shefit të qeverisë i kujtoheshin deklaratat e kaluara.
Ish-deputeti i LDK’së, Gani Geci, komentoi në llogarinë e tij në Facebook, takimin Kurti-Vuçiq.
“Bravo kryministër vetëm kështu duhet të vazhdohet të dialogohet me Serrbin. Aaauuuu me falni se ky diskutimi paska qenë në vitin 2018. Darka paska qenë mbrëm ishte pa kushte po ska lidhje. Tani jemi ne kushte shum ma te favorshme për Dialog sepse e gjithë Bota ëdhtë kundër Rusisë veten Serrbia është pro Rusissë dhe nese tani nuk e shfrytzojm kët situatë kurr më nuk do takëmi”, shkroi Geci në Facebook.