Serbia ka filluar të imunizojë qytetarët edhe me dozën e tretë të vaksinave anti-COVID.
Doza e tretë po u jepet personave që janë vaksinuar së paku gjashtë muaj më parë, raporton agjencia AP.
Vendimi ka ardhur pas rritjes së rasteve me koronavirus në Serbi në ditët e fundit.
Një rresht i shkurtër u formua jashtë njërës nga qendrat e vaksinimit në Beograd të martën, ndërsa drejtori Zoran Bekiq, u bëri thirrje qytetarëve “të tregojnë përgjegjësi kolektive dhe të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur”.
Autoritetet serbe të hënën kanë njoftuar se qytetarët do të marrin mesazhe me ftesa për të marrë dozën e tretë të vaksinës. Fillimisht, autoritetet shëndetësore në Serbi do të kontaktojnë personat me sistem më të dobët imunitar, të moshuarit, punonjësit mjekësor dhe ata të cilët janë në vende pune ku u duhet të udhëtojnë vazhdimisht.
Mirëpo, Bekiq ka thënë se grupeve të cenueshme u rekomandohet doza e tretë e vaksinës. Por ai ka thënë se gjithë qytetarët në Serbi mund të marrin dozën e tretë.
Serbia, ka vaksinuar mbi 50 për qind të popullatës. Një pjesë e madhe janë vaksinuar me vaksinën kineze Sinopharm dhe atë ruse Sputnik, por janë vaksinuar qytetarët edhe me vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe AstraZenecas.
Serbia lehtësoi masat gjatë verës, dhe filloi rritja e rasteve. Rritja i adresohet kryesisht variantit Delta që po vlerësohet shumë në ngjitës.
Në fillim të gushtit në Serbi ishin rreth 129 raste ditore me koronavirus, por kjo shifër është rritur në rreth 1000 në ditë gjatë kësaj jave.
Më tepër se 700 mijë persona janë infektuar në Serbi që nga fillimi i pandemisë dhe mbi 7000 kanë vdekur si pasojë e COVID-19.