Serbia ka pezulluar përkohësisht vaksinat anticovid për të huajt. Lajmi raportohet nga agjencia e lajmeve Tanjug, e cila citon kryeministren serbe Ana Bërnabiq. Njoftimi u bë gjatë një konference shtypi të kryeministres Bërnabiq mbi fushatën e vaksinimit. Duke mos dhënë shumë shpjegime pse ky vendim erdhi në këtë moment, ajo tha se kanë zgjedhur të përqendrohen në imunizimin e serbëve.
Lajmi për shpërndarjen e vaksinës falas, madje edhe për turistët, ka krijuar javët e fundit një pelegrinazh të vërtetë drejt vendit ballkanik.
Sipas medias, vetëm në Beograd, mbi 22 000 të huaj nga vendet fqinje të Ballkanit u raportuan të ishin vaksinuar në Serbi në fund të marsit. Por jo vetëm “fqinjët”, dhjetëra italianë dhe qytetarë të vendeve të tjera të BE kanë ardhur gjithashtu në Serbi për t’u vaksinuar.
Deri më tani, nga 7 milionë banorë, mbi 2.6 milionë vaksina janë administruar në vend, nga të cilat 1.1 milion janë doza të dyta, numra që e sjellin Serbinë në vendin e dytë në podium në Evropë për vaskinat e administruara në lidhje me popullsinë. Është e mundshme që fushata e imunizimit për të huajt do të rinisë, por aktualisht është pezulluar. Dhe askush nuk e di për sa kohë./a2cnn