“Serbia po i afrohet një lloji të njohjes së Kosovës, brenda 10 ditësh çasti i së vërtetës”, çfarë po shkruajnë medit kroate – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Serbia po i afrohet një lloji të njohjes së Kosovës, brenda 10 ditësh çasti i së vërtetës”, çfarë po shkruajnë medit kroate

    Insajderi
    17 February 2023 - 15:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u ftuan për Takim të Nivelit të Lartë në Bruksel më 27 shkurt. Ftesa u konfirmua mu në ditën kur Kosova feston pesëmbëdhjetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Sipas njoftimeve nga BE, bisedimet do të përqendrohen në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

    Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit tre muaj më parë në kuadër të dialogut në Bruksel, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Që atëherë nuk ka pasur takim të ri, por ka pasur përshkallëzim të tensionit në terren, sidomos në veri të Kosovës, shkruan gazeta kroate Jutarnji list, përcjell Insajderi.

    Takimi i 27 shkurtit do të jetë sërish më i rëndësishëm se ai i mëparshmi sepse të dyja palët janë nën presion për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, i cili quhet edhe “propozimi franko-gjerman”.

    Edhe pse është një propozim për “Marrëveshjen Bazike” e jo ajo përfundimtarja, gjithëpërfshirësja dhe ligjërisht obliguese për të cilin ka folur deri më tani BE-ja, prapëseprapë nënkupton një lloj njohjeje të Kosovës nga Serbia, edhe pse jo formale.

    Propozimi kërkon që palët të respektojnë pavarësinë e njëra-tjetrës, që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, të normalizojë marrëdhëniet përmes hapjes së misioneve të përhershme në selinë e qeverisë së njërit dhe tjetrit (modeli i Dy Gjermanive), të njohë dokumente të tilla si pasaporta, marka tregtare dhe të ngjashme. Në praktikë, kjo nënkupton një lloj njohjeje de facto, megjithëse njohja formale përfundimtare do të vonohej.

    Kosova duhet të sigurojë një nivel të duhur të autonomisë për serbët në Kosovë si dhe të zgjidhë statusin e Kishës Ortodokse Serbe. Të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, ku përfshihet edhe ajo për themelimin e Asociacionit/bashkësisë së komunave me popullatë shumicë serbe.

    Kjo marrëveshje, siç konfirmojnë diplomatët në Bruksel, u është ofruar të dy liderëve në formën e “merre ose lëre”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar tha se e pranon këtë marrëveshje “si një bazë të mirë”, por ende heziton të pranojë obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën insiston bashkësia ndërkombëtare. Kundërshtimi i Kurtit ndaj këtij obligimi ishte një nga platformat kryesore politike sepse ai beson se përmbushja e këtij detyrimi do të krijonte një entitet të ri mono-etnik në Kosovë, të ngjashëm me Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Vuçiq nuk tha publikisht dhe qartë se e pranon planin, por shumë liderë perëndimorë “e përgëzuan për reagimin pozitiv ndaj atij propozimi”. Së fundmi në Beograd u organizuan protesta radikale të djathta kundër atij propozimi, ndërsa propozimi evropian u kritikua edhe nga ambasadori rus në Serbi, gjë që e bën edhe më të vështirë pozicionin e Vuçiqit.

    Mbështetje të fortë për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhanë edhe krerët e shteteve apo qeverive të BE-së në samitin e fundit në Bruksel, që është një presion shtesë ndaj Kurtit dhe Vuçiqit për ta pranuar planin, apo për t’u përballur me akuzat në rast refuzimi./Insajderi/.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark