Serbia refuzon vizitën e ministrit Sveçla në Luginën e Preshevës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbia refuzon vizitën e ministrit Sveçla në Luginën e Preshevës

    Insajderi
    25 December 2024 - 13:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se Qeveria e Serbisë ka refuzuar kërkesën për lejimin e vizitës zyrtare të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc, e cila ishte paraparë për datat 23 dhe 24 dhjetor 2024.

    Vizita, e cila përfshinte takime me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSH), ishte planifikuar për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetin shqiptar në Serbi.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, refuzimi i kësaj vizite është bazuar në pretendimet e Qeverisë së Serbisë se veprimet e Ministrit Sveçla janë të drejtuara kundër komunitetit serb dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Qeveria e Serbisë gjatë këtyre dy viteve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Përveç vizitave të ministrit Sveçla, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrulla Çeku, e paralajmëruar ditë më parë, më 19 dhjetor 2024”, thuhet në njoftim.

    Për më tepër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka theksuar se edhe vizita e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, e paralajmëruar për datën 27 shkurt 2024, për të marrë pjesë në Pritjen për Përvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, ishte refuzuar pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe vetëm disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës deklaron se këto veprime të Qeverisë së Serbisë janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbajtur tensionet dhe për të provokuar konflikte, duke përfshirë edhe aktet terroriste të fundit në Banjska dhe Ibër-Lepenc.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark