×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Serbia shpërfill kërkesën e SHBA’së e Britanisë, nuk liron policët e kidnapuar

    Insajderi
    16 June 2023 - 15:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Serbia ka shpërfillur kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe për lirimin e tre policëve të cilët u kidnapuan dy ditë më parë (14 qershor) nga forcat policore serbe. Atyre, sot iu shqiptua masa e paraburgimit nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë, shkruan Insajderi.

    Për tre policët kosovar, Rifat Zeka, Beqir Sefini dhe Mustafa Shemi, sipas pretendimeve të Serbisë dyshohen se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

    Tre policëve, iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

    SHBA e Britania kërkuan lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor të kidnapuar nga Serbia.

    Qëndrimi i SHBA-ve u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

    “Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, tha ai.

    Miller tha gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .

    Ndërkaq, në një deklaratë me shkrim të publikuar në webfaqen e Qeverisë së Britanisë të Madhe, gjithashtu u kërkuan përmbajtje maksimale nga Kosova dhe Serbia.

    Tutje, aty kërkohet të shmangen masat e njëanshme dhe t’i ulin tensionet dhe policët të lirohen.

    “Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor“.

    Qeveria e Kosovës ka ritheksuar se policët janë kidnapuar në territorin e Kosovës. E Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë “arrestuar” në territorin e saj.

    4 shpërthime në stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriu

    Tensionet nuk kanë mbaruar. Edhe sot (16 qershor) katër shok-bomba janë hedhur në stacionet policore në komunat veriore të Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Sipas një njoftimi, rreth orës 01:04 në Mitrovicën e Veriut janë hedhur dy shok bomba brenda rrethojës së stacionit policor, dhe nuk raportohet për dëme materiale apo për persona të lënduar.

    Edhe dy shok-bomba tjera janë hedhur pastaj te stacioni policor në Zveçan.

    Policia thotë se dyshohet se ato u hodhën nga një automjet i cili ishte në lëvizje dhe është larguar menjëherë nga vendi.

    Detaje për Insajderin dha edhe zëdhënësi i policisë, Veton Elshani.

    Ai tha se është hapur një hetim, por ende nuk ka të dyshuar.

    Si u përshkallëzua situata në veri të Kosovës

    Arrestimi i tre policëve po ndodhë në kohën kur tensionet në veri të vendit veçse kishin nisur. Teksa po vazhdojnë edhe sot.

    Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Më 13 qershor, policia e Kosovës, kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç, si i dyshuar dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj. 

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark