
Federata e Futbollit e Serbisë ka lëshuar një komunikatë zyrtare, duke arsyetuar kërkesën e saj për zhvendosjen e ndeshjes ndaj Shqipërisë nga Beogradi në Leskovc. Në sqarim, FSS ka përmendur edhe ngjarjen e tetorit 2014 në përballjen me Shqipërinë, të cilën kuqezinjtë e fituan në tavolinë 3-0 pas vendimit të CAS-it.
Sipas federatës serbe, arsyeja kryesore e ndryshimit të stadiumit është siguria, jo vetëm e tifozëve, por edhe e lojtarëve dhe gjithë pjesëmarrësve.
Komunikata e plotë e FSS:
“Me pëlqimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA ka miratuar që ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës e planifikuar për datën 11 tetor, ora 20:45, të zhvillohet në stadiumin ‘Dubocica’ në Leskovac.
Pas ndeshjes kundër Anglisë në Beograd, vendimi për të ndryshuar lokacionin u mor bazuar në analiza të detajuara të të gjitha aspekteve të organizimit të një eventi sportiv me rrezik të lartë, siç është dueli me Shqipërinë. Arsyeja kryesore është siguria, jo vetëm e publikut, por mbi të gjitha e lojtarëve dhe e pjesëmarrësve të tjerë. Një takim i tillë mbart nivelin më të lartë të rrezikut dhe kërkon kontroll të plotë për të parandaluar incidente si ato të vitit 2014 në Beograd.
Federata e Futbollit e Serbisë ka qenë prej kohësh nën vëzhgim të FIFA-s dhe UEFA-s për shkak të incidenteve në tribuna, gjë që përfshin rrezikun real të ndëshkimeve të rënda, madje edhe pezullimeve të gjata. Ndryshimi i lokacionit në Leskovac ul ndjeshëm rrezikun e teprimeve të mundshme dhe kontribuon në mbrojtjen e reputacionit të futbollit serb dhe interesave të kombëtares.
Një arsye tjetër është atmosfera në stadiumin ‘Dubocica’, ku tifozët në çdo ndeshje kanë dhënë mbështetje të pakushtëzuar kombëtares sonë nga fillimi deri në fund.
Federata e Futbollit e Serbisë shpreh mirënjohje ndaj UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin konstruktiv në marrjen e këtij vendimi.”
Këto dy kombëtare tashmë janë përballur një herë në këto kualifikuese, me ndeshjen që u mbyll pa gola në “Air Albania” gjatë muajit qershor.