Sladjana Stojiljkoviç është studentja serbe nga qyteti i Leskovacit, e cila është në vitin e dytë të studimeve për Albanologji në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit, e cila ka shpërfillur shikimin e opinionit publik që është i mbushur plot stereotipe e paragjykime të vjetra për shqiptarët.
Përtej faktit që mësimi i gjuhës shqipe është i kërkuar dhe i dobishëm për komunitetet në Serbi dhe Kosovë, ai hap përmasa të reja të njohjes mes dy vendeve duke inkurajuar kulturën e dialogut dhe bashkekzistencës.
Jo më kot gjuhëtari dhe filozofi amerikan, Noam Chomsky, thotë se “gjuha nuk ka të bëjë thjesht me fjalët. Është një kulturë, një traditë, bashkimi i një komuniteti, një historie të tërë që i jep jetë vetë komunitetit”.
Sladjana e dëshmon më së miri këtë gjë, kur rrëfen se që në momentin që ka nisur të studiojë shqipen ka nisur të njohë kulturën shqiptare, të lexojë Ismail Kadarenë, e të dëgjojë muzikën Jazz të Elina Dunit.
Por, Sladjana nuk është e vetme në këtë rrugëtim, pasi janë afro 15 studentë serbë që ndjekin çdo vit akademik studimet për Albanologji, të cilët janë shpresëplotë se e ardhmja do të vijë me një tjetër fytyrë, pa maskën e nacionalizmit që i ka penguar shpesh ballkanasit të njohin njëri-tjetrin.