
Arbër Ismajli është zyrtarizuar si kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Këtë e ka konfirmuar vetë Ismajli përmes një postimi në Facebook, duke bërë të ditur se ka marrë përkrahjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut, dhe të kryetarit të degës në Gjilan, Lutfi Hazirit.
Me këtë nominim, zyrtarisht është konfirmuar se Haziri nuk do të garojë për këtë post.
Ismajli e ka cilësuar kandidimin si një përgjegjësi të madhe dhe premtim për angazhim të pakompromis, duke theksuar nevojën për bashkim dhe vizion të ri për qytetin.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe strukturave të LDK-së që t’i bashkohen këtij rrugëtimi, duke u zotuar se do të punojë me vendosmëri për zhvillimin dhe përparimin e Gjilanit.
“Ky nominim është përgjegjësi e madhe dhe premtim për punë të pandalshme. Bashkë, me unitet dhe vizion të qartë, do ta kthejmë Gjilanin aty ku e meriton. Na pret një rrugë sfiduese, por me energji të reja ku me punë dhe vendosmëri do t’ia dalim bashkë. Ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, të gjitha strukturave dhe gjeneratave që të bëhemi bashkë. Gjilani meriton shumë më shumë dhe ne bashkë këtë rrugëtim do ta bëjmë realitet. Fitorja është e përbashkët, për Gjilanin që e duam të gjithë. Me përulësi, i juaji, Arbër R. Ismajli, në shërbim të qytetit dhe qytetarëve tanë”, shkroi ai në Facebook.