Për shkak se instituti zviceran ende nuk e ka dërguar raportin e DVR të rastit, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Dod Gjikolaj akuzohet për vrasjen me eksploziv.
Kryetari e trupi gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj bëri të ditur se prokurorja e rastit, Ervehe Gashi ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se instituti zviceran ende nuk i ka pajisur me raportin e incizimit (DVR) të rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, seanca e 17 nëntorit 2023, ishte ndërprerë me kërkesë të prokurores Gashi, me arsyetimin se Instituti i Cyrihut në Zvicër ka kërkuar origjinalin e incizimit (DVR) të rastit nga shkresat e lëndës dhe do të pritej raporti i tyre.
Si ndodhi vrasja e Haxhi Ahmetit?
Në mëngjesin e vitit 2018, kishte ndodhur një shpërthim eksplozivi në një derë të shtëpisë në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës.
Si pasojë e këtij shpërthimi, kishte mbetur i vdekur 61 vjeçari Haxhi Ahmeti, në derën e oborrit të shtëpisë së tij.
Pas këtij rasti të dyshimtë, Policia dhe Prokuroria nuk kishin identifikuar apo arrestuar ndonjë person të dyshuar.
Në tetor të vitit 2020, Policia e shtetit kishte njoftuar se ishte arrestuar 41 vjeçari Dodë Gjikolaj nga Shqipëria, i kërkuar lidhur me vrasje në Kosovë me armë e eksploziv.
Ndaj tij është duke vazhduar procesi gjyqësor.