Nxënësit kosovarë janë bërë cak i një loje të rrezikshme në rrjetin social “Tik-Tok”. Nëpër shkolla të ndryshme nxënës të shkollave fillore janë vetëlënduar. Pas rastit të fundit në një shkollë në Gjakovë, një i tillë ka ndodhur edhe në Kamenicë.
Në fshatin Koretinë disa nxënësit të klasave të 8 e 9 kanë provuar ta lëndojnë vetën.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, policia e Kosovës është njoftuar nga Drejtoria e një Shkolle të mesme të ultë në Koretin komuna Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë vetën shkak sfida e rrjeteve sociale në Tik-Tok”, tha Hashani.
Ai shtoi që Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Nuk raportohet për të lënduar, prokurori ka urdhëruar që të mbete shënim zyrtar”, u shpreh Hashani.
Theksojmë se Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baci, ditë më parë ka kritikuar ministren e Arsimit Arbërie Nagavci.
Ajo tha se nga Ministria e Arsimit nuk kanë marrë asnjë telefonatë, asnjë komunikim apo vizitë, pasi 20 vajza të mitura të kësaj komune kanë lënduar vetën.
Reagimi i Kumnova-Bacit vjen pas postimit të Nagavcit në Ditën e vajzave ka shkruar se “Si qeveri dhe Ministri e Arsimit iu kemi në vëmendje si asnjëherë më parë”.
“Ministre e Arsimit, për Ditën e vajzave paske shkruar që: ‘Si Qeveri dhe Ministri e Arsimit iu kemi në vëmendje si asnjëherë më parë’. Në cilën vëmendje ministre? Në vëmendjen tënde duhen të ishin prioritet 20 vajza të vetlënduara nga qyteti yt i lindjes? Në vëmendjen tuaj duhet të ishte një vizitë në Gjakovë, një takim me shkollat, krijimi i një task force, masa të shpejta, takim me drejtorat e drejtorive për Arsim të të gjitha komunave. Kjo duhej të ishte vëmendja juaj për ditën e vajzave. Sepse në tërë këtë javë jo të mirë për shkollat tona, nga Ministria që udhëhiqni ju, nuk kemi marrë asnjë telefonatë, asnjë komunikim dhe asnjë vizitë, kur duhej të ishte temë e përbashkët kjo. Dhe fjalia juaj ‘Le të vazhdojmë të mbështesim dhe fuqizojmë vajzat tona’ nuk duhej të ishte fare në postimin tuaj, sepse e keni dhënë provimin tuaj për ‘mbështetje’ këtë javën e fundit!”, tha drejtoresha e Arsimit në Gjakovë.
Javën e kaluar tri nxënëse i kanë shkaktuar vetës lëndime në një shkollë të Gjakovës.
/Insajderi