Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një statusi të publikuar në faqen e vet zyrtare në Facebook ka shprehur mbështetjen maksimale për djemtë e Kombëtares shqiptare të futbollit që sot në mbrëmje do të luajnë në sfidën kundër Francës, e vlefshme për Euro 2016.
Sipas Ramës, edhe pse sfida është super e vështirë, kuqezinjtë do ia dalin nëse çlirohen nga presioni i i jashtëzakonshëm i përgjegjësisë, që i pengoi të luanin lirisht në gjysmën e pjesës së parë të ndeshjes me Zvicrën.
“Sonte sprova e dytë e Kuqezinjve. Super e vështirë po asgjë s’është e pamundur nëse djemtë e mrekullueshëm të Kombëtares do të hyjnë në fushë të çliruar nga presioni i jashtëzakonshëm i përgjegjësisë, që i pengoi të luanin lirisht në gjysmën e pjesës së parë të ndeshjes me Zvicrën dhe të ishin të kthjellët në rastet e pastra vetëm për vetëm përballë portierit”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
“Le t’u çojmë me një like mesazhin e mbështetjes sonë të pakushtëzuar nga rezultati dhe cilidoqoftë rezultati, ata mbeten heronjtë e padiskutueshëm të këtij momenti magjik të futbollit tonë #ForcaShqiperia në fushën e lojës dhe në shkallët e stadiumit ku tifozët kuqezinj bënë të flitet me superlativa për kulturën sportive që shfaqën para, gjatë dhe pas ndeshjes së parë me Zvicrën”, shkruan Rama.
Shqipëria dhe Franca luajn sonte duke filuar nga ora 21./Insajderi.com