"Shaban Manaj është vrarë për çështje morale" - Ilir Ferati i reagon ashpër Shalës, fton organet e rendit të merren me rastin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shaban Manaj është vrarë për çështje morale” – Ilir Ferati i reagon ashpër Shalës, fton organet e rendit të merren me rastin

    Insajderi
    06 March 2025 - 21:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së historianit Azdren Shala, i cili kishte deklaruar se veprimtari i njohur Shaban Manaj “është vrarë për çështje morale”.

    Ferati ka quajtur këtë pretendim si të pabazuar dhe tendencioz, duke theksuar se ai është një goditje e qëllimshme ndaj figurës së Manajt dhe LDK-së, shkruan Insajderi.

    Sipas Feratit, deklarata e Shalës është një shpifje e ulët, një përpjekje për të njollosur figurën e një prej njerëzve më të ndritur të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe historinë më të re të Kosovës.

    “Deklarata e historianit Shala, që e cilëson vrasjen e Shaban Manajt si një vrasje për moral, është një shpifje e ulët, një përpjekje e shëmtuar për të njollosur figurën e një prej njerëzve më të ndritur të LDK-së, LDK-në dhe historinë më të re të Kosovës. Ky pretendim është jo vetëm i pabazuar dhe tendencioz, por një goditje e qëllimshme ndaj të vërtetës dhe kujtesës sonë kolektive. Shaban Manaj nuk ishte thjesht një aktivist politik – ai ishte një shtyllë e demokracisë në Kosovë, një njeri i guximshëm që sfidoi regjimin serb dhe i qëndroi besnik idealit të lirisë. Vrasja e tij mbetet një plagë e hapur për Istogun dhe për mbarë Kosovën, një krim që kërkon drejtësi, jo shpifje të ulëta e tentativa për ta deformuar të vërtetën”.

    Ferati tha se kushdo që tenton të shtrembërojë historinë dhe të njollosë emrin e Shaban Manajt nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë.

    “Kushdo që përpiqet të shtrembërojë historinë dhe të baltosë emrin e Shaban Manajt nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe as me drejtësinë. Këto janë përpjekje të pamoralshme për të manipuluar opinionin dhe për të mohuar sakrificën e një njeriu që i dha gjithçka Kosovës.  Nuk do ta lejojmë këtë”, ka thënë ai.

    Ai kërkoi nga organet kompetente që të merren me këto deklarata dhe të mbrojnë dinjitetin e figurës së Manajt.

    “Si Kryetar i Komunës, si Kryetar i Degës së LDK-së, si qytetar i Istogut ftoj organet kompetente që të merren me këto deklarata!  Shaban Manaj është dhe do të mbetet një emër i madh i rezistencës dhe i demokracisë. Asnjë shpifës nuk mund të ndryshojë këtë të vërtetë”, ka thënë ai. 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark