Shakaja pa shije e serialit amerikan me Srebrenicën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Shakaja pa shije e serialit amerikan me Srebrenicën

    Insajderi
    10 May 2016 - 15:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në një nga episodet e serialit “Çifti i çuditshëm” (Odd Couple), të transmetuar më 22 prill në rrjetin amerikan CBS, një nga personazhet e meshkujve e fton një vajzë në takim, në një restorant serb të quajtur ‘Shija e Srebrenicës’. Ai gjithashtu e interpreton keq edhe emrin.

    Referenca ka të bëjë me qytetin ku në vitin 1995 më shumë se 8,000 djemë dhe burra të rinj myslimanë u rrethuan dhe u vranë nga ushtria e serbëve të Bosnjës.

    Vrasjet, që për shumë myslimanë të Bosnjës janë ende një kujtim i freskët, ndezën një zemërim ndërkombëtar dhe ndikuan në nxitjen e ndërhyrjes së forcave të jashtme për përmbylljen e luftërave të viteve 1990 në Jugosllavi.

    Në vitin 2004, tribunali i Kombeve të Bashkuara që merret me krimet e luftës në Jugosllavi, ngjarjet e Srebrenicës i cilësoi zyrtarisht si ‘gjenocid’.

    Që nga koha e transmetimit, episodi amerikan ka qarkulluar në shumë komunitete boshnjake në Evropë dhe Amerikë të Veriut, me një dozë të madhe zemërimi drejtuar rrjetit CBS, autorëve të serialit, si dhe aktorëve pjesëmarrës.

    Hatixha Mehmedoviq, e cila jeton në Srebrenicë dhe e udhëheqë një grup që lobon në emër të 6,000 të mbijetuarve nga vrasjet e Srebrenicës, tha se seriali bën shaka në kurriz të grave që janë dërguar dhunshëm në restorante të tilla dhe janë dhunuar nga ushtarët serbë të Bosnjës. Burri i saj, dy djemtë dhe dy vëllezërit e saj u vranë në atë masakër.

    “Sa më ekstreme të jetë diçka, aq më shumë do të shikohet. Bota e ka lejuar këtë gjë; Evropa e ka lejuar të ndodhë”, ka thënë Mehmedoviq për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë.

    “Të thuash eja të shkojmë në një restorant të ri të quajtur ‘Shija e Srebrenicës’ është njësoj sikurse të thuash diçka të tmerrshme të llojit: Eja të shkojmë në një restorant të ri gjerman të quajtur ‘Shija e Auschwitzit’,” thotë përmes një letre të hapur Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës së Veriut, i cili përfaqëson emigrantët dhe refugjatët nga ky rajon i ish-Jugosllavisë.

    Kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, CBS nuk ka dhënë menjëherë përgjigje ndaj një kërkese përmes emailit, për të komentuar lidhur me episodin në fjalë.

    Instituti për Hetim të Gjenocideve në Kanada, një organizatë me bazë në Ontario e krijuar nga Universiteti i Sarajevës, e ka quajtur videon një “poshtërim të tmerrshëm të viktimave të Srebrenicës.” /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark