Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për menaxhimin e “Trepçës” dhe trajtimin e minatorëve.
Ai u shpreh se kjo ndërmarrje është pasqyra e dështimit të ekzekutivit aktual dhe se minatorët meritojnë kushte më të mira.
Shala ka theksuar se minatorët e “Trepçës” janë trajtuar keq nga Qeveria Kurti.
Sipas tij, Qeveria ka manovruar me pozitat e punës së minatorëve dhe nuk ka realizuar kërkesat e tyre sociale. Po ashtu, ai ka akuzuar Qeverinë për fajësimin e minatorëve, ndërkohë që menaxhimi dhe bordi, të cilët janë emëruar nga vetë kjo qeveri, nuk janë mbajtur përgjegjës për situatën.
Shala ka shtuar se gjendja e “Trepçës” është kritike: prodhimi ka rënë, investimet janë të pamjaftueshme dhe pajisjet janë të amortizuara. Ai ka përfunduar duke thënë se “Trepça meriton dhe mund të arrijë më shumë”.