Një sërë pretendimesh shqetësuese janë denoncuar për Spitalin e Pejës. Sinjalizues që i kanë shkruar Ministrisë së Shëndetësisë vënë në dyshim menaxhimin dhe përputhshmërinë e tij me standardet ligjore dhe profesionale. Gazeta Insajderi ka siguruar një kopje të këtyre denoncimeve. Spitali drejtohet nga mjekë që publikisht i ishin bashkangjitur partisë së Kryeministrit Kurti.
Gazeta Insajderi
Raportet flasin për shkelje të ligjeve dhe rregulloreve, punësime të jashtëligjshme, si dhe për presion, kërcënime dhe shantazhe që kanë ndodhur brenda mureve të këtij institucioni.
Sinjalizuesit, të cilët kanë ofruar informacione për këto shkelje, kanë besuar gazetës një listë prej afro 10 punësimesh me lidhje familjare, duke ngritur më tej dyshime për abuzim me pozitat dhe për favore të paligjshme në rekrutimin e personelit.
Përveç kësaj, pretendimet përfshijnë edhe kërcënime dhe shantazhe nga ana e disa figurave të larta të Spitalit të Pejës, përfshirë drejtorin ekzekutiv, Fazli Shalën, dhe shefin e Emergjencës, Besnik Ibraj, që njëkohësisht është edhe Kryetar i Këshillit Profesional.
Një tjetër çështje shqetësuese është emërimi i Ushtruesit të Detyrës së Administratës, i cili thuhet se është bërë pa përmbushur kriteret ligjore dhe profesionale, ndërkohë që ka një vendim të Inspektoratit për pezullimin e tij nga pozita.
Po ashtu, përmendet emërimi i shefit të Shërbimit Teknik, i cili ka kaluar afatin e mandatit dhe ka mungesë të kritereve profesionale, si dhe Drejtoresha e Infermierisë, e cila thuhet se është emëruar pa përvojën e nevojshme profesionale.
Një tjetër problematikë lidhet me dy konkurse të dyshimta dhe të mundshme korruptive, për të cilat lënda është dërguar në prokurori.
Gjithashtu, janë ngritur shqetësime për angazhimin e avokatëve për çështje ligjore pa konsultim paraprak me Zyrën Ligjore të SHSKUK-së, duke sugjeruar mungesë transparence dhe mundësi për vendime të njëanshme.
Për më tepër, sinjalizuesit kanë raportuar dështime të rëndësishme në realizimin e projekteve strategjike, përfshirë projektin e renovimit të sallave të operacionit, i cili ishte premtuar për vitin 2024 në vlerë prej 600 mijë euro, por që ende nuk ka pasur hapa konkretë për realizimin e tij.
Në lidhje me këto çështje, është kontaktuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare të Kosovës (SHSKUK), por ata nuk kanë ofruar ende përgjigje.
Po ashtu, Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga drejtuesit e Spitalit të Pejës, por deri tani nuk ka marrë asnjë reagim.
Njerëzit e Vetëvendosjes udhëheqin Spitalin e Pejës
Spitali i Pejës udhëhiqet nga njerëz të Vetëvendosjes, drejtori i Spitalit, Fazli Shala dhe Besnik Ibraj shef i Emergjencës.
Shala e Ibraj, zyrtarisht i ishin bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje në qershor të 2020-ës, për aderimin e tyre, Kurti i shoqëruar nga Arben VItia deklaronte se partia po rritej, teksa shtonte se është e vetmja organizatë ku profesionistët vlerësohen e promovohen.