KB Istogu edhe zyrtarisht i dha lamtumirë sonte Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra e drejtuar nga Fikret Shatri pësoi humbje në xhiron e fundit ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultatin 99:108.
Istogu, që garoi për herë të parë në histori të klubit në elitën e basketbollit kosovar, u rendit i fundit në tabelë me bilanc prej 27 humbjeve dhe vetëm një fitoreje.
Shatri, përmes një postimi të bërë në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se çdo sekond të ndeshjes sonte ia dedikuan të ndjerit, Trim Ferataj.
Ai gjithashtu tha se pas promovimit në Superligë shpresonte që njerëzit do ta kuptonin se çfarë do të thotë kjo, por që sipas tij, kjo nuk ndodhi.
Trajneri istogas gjithashtu shkroi se për klubin e Istogut ka transferuar edhe kursimet familjare, duke lënë familjen e tij pa bukë, vetëm për ta mbajtur premtimin.
Postimi i plotë nga Fikret Shatri (pa ndërhyrje):
“Lamtumirë Supërligë.
Menduam që shkelqimi me ne do vinte nga qielli, ne ishim në tokë.
Sa miliona takime, sa miliona shpresa, sa miliona vuajtje, mbase s’mund ti numëroj!
Mbajta shpresë që njerzit tanë do e kuptojnë se çfarë do të thot të jesh në supërligë! U zhgenjeva, u rraskapita, lash familjen pa bukë, harrova fëmijet e mijë,kursimet familjare i transferova ne KB Istog, vetem e vetem ta mbajë premtimin e dhenë një natë duke biseduar me Izet Shatrin në ëndërr: ” Vêlla Istogu është amanet” … ashtu veprova, kurr s’jamë pishman dhe s’do të jem, por si ka mundesi edhe 25 vite pas lufte, ne nuk kemi palester, cili ishte harbuti, cubi, kulaku që na bëri këtë tradhëti?!
Ishte njē moment, që Istogu mu bë ferr, por engjujt mu gjinden pranë!
M’besoni, sot ra sipari i supërligës, çdo sekond të ndeshjes ja dedikuam Trim Ferataj.
Një djalë model, shembull dhe me një ndershmëri kolosale.
Trim, ne vazhdojme, duke kultivuar vyrtyte, dhe tipare kolosale siç i kishe ti!
Sternipi jonë, prehu i qetë, ta puthë ballin në varrë”.