SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

    Insajderi
    04 October 2023 - 10:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Departamentin amerikan të Shtetit thonë se e dinë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “i koordinuar dhe i planifikuar mirë”.

    Zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media për arrestimin e Milan Radoiçiqit të martën, nëse ka për të thënë diçka rreth kësaj.

    “Ne i kemi parë ato raporte, Shaun. Ne nuk do të shkojmë përpara hetimit. Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.

    Milan Radoiçiq u arrestua dje në Serbi, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bashkëpunojë për verifikimin e të gjitha fakteve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe aktivitetin terrorist të grupit të udhëhequr prej mikut të tij, i cili iku për t’u strehuar në Serbi.

    Bashkimit Europian ka kërkuar që Beogradi të bashkëpunojë pa kushte në hetimet që do t’i bëjë Policia e Kosovës, ndërsa institucionet në Kosovë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sulm.

    Për terroristët që arritën të iknin dhe që Vuçiq tha se do të japin llogari në Serbi, Beogradi u ofroi strehim dhe për tre prej tyre që u vranë, shpalli ditë zie kombëtare.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark