SHBA evakuon personelin e ambasadës në Haiti – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    SHBA evakuon personelin e ambasadës në Haiti

    Insajderi
    10 March 2024 - 23:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ushtria amerikane tha të dielën se ka kryer një operacion në Haiti për evakuimin e personelit jo të domosdoshëm të ambasadës nga vendi dhe shtoi se forcat amerikane po forcojnë sigurinë rreth ambasadës, ndërsa vendi i Karaibeve po kalon nën një gjendje të jashtëzakonshme.

    Operacioni është shenja më e fundit e problemeve në rritje në Haiti, ndërsa dhuna e bandave kërcënon të rrëzojë qeverinë dhe ka detyruara largimin e mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre.

    “Evakuimi nga ajri i personelit brenda dhe jashtë ambasadës është në përputhje me praktikën tonë standarde të rritjes së sigurisë në ambasadat në mbarë botën, dhe asnjë banor i Haitit nuk ishte në bordin e avionit ushtarak”, thuhet në një deklaratë të Komandës Jugore të ushtrisë amerikane.

    Haiti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të dielën e kaluar pasi luftimet u përshkallëzuan ndërsa kryeministri Ariel Henry ndodhej Kenia, në kërkim të mbështetjes për një mision të OKB-së në vendin e tij.

    Kenia njoftoi vitin e kaluar se do të drejtonte forcën e sigurisë, por disa muaj mosmarrëveshjesh të brendshme ligjore kanë shtyrë fillimin e misionit.

    Të shtunën, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken kishte foli me presidentin kenian William Ruto për krizën në Haiti dhe se ata kishin theksuar angazhimin e tyre ndaj një misioni shumëkombësh për të rivendosur rendin në Haiti.

    Në deklaratën e Komandës Jugore, thuhet se Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj qëllimeve për rivendosjen e rendit në Haiti.

    “Ambasada jonë mbetet e përqendruar në përpjekjet për të rritur mbështetjen për popullin e Haitit, duke përfshirë Policinë Kombëtare të Haitit, përshpejtimin e vendosjes së një misioni të autorizuar nga OKB-ja dhe përshpejtimin e një tranzicioni paqësor të pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, thuhet në deklaratë./VOA/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark