Pentagoni deklaroi se do të shtyjë për një kohë të pacaktuar stërvitjen e planifikuar ushtarake me Gjeorgjinë, pasi Shtetet e Bashkuara janë duke rishikuar marrëdhëniet e tyre me këtë vend të Kaukazit jugor.
Gjithçka nisi pasi Gjeorgjia miratoi pak javë më parë ligjin për agjentët e huaj, që u kontestua nga Perëndimi, pasi dyshohet se ky ligj do të shtypë mediat e pavarura.
“Qeveria amerikane vlerëson se kjo është kohë e papërshtatshme për të mbajtur stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë në Gjeorgji”, shkruhet në deklaratën e Pentagonit.
Ligji për “agjentët e huaj” kërkon që organizatat joqeveritare dhe mediat, të cilat pranojnë të paktën 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si organizata që ndjekin interesat e një fuqie të huaj.