Departamenti Amerikan i Shtetit ka mirëpritur marrëveshjen e arritur të mërkurën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat.
Zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Ned Price ka potencuar se e mbështesin dialogun e ndihmuar nga BE-ja, si rruga më e mirë për ta avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës.
Ai ka potencuar se SHBA-ja përshëndet negociatat konstruktive dhe ka shtuar se inkurajon përparim të mëtutjeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“SHBA-ja mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë lidhurmasat për të evituar përshkallëzimet e mëtutjeshme. Ne përgëzojmë dakordimin e dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve, nën mbikëqyrjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbështesim dialogun e ndihmuar nga BE-ja, si rruga më e mirë për ta avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Ne e mirëpresim vendimin e palëve për të vënë interesin e gjithë njerëzve në rend të parë të vendimmarrjeve të tyre dhe të marrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve. Dyja palët kanë bërë një hap të madh para sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin. SHBA-ja përshëndet negociatat konstruktive dhe inkurajon përparim të mëtutjeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, është bërë e ditur në deklaratën e Ned Price.
Ndryshe, pala kosovare dhe ajo serbe, të mërkurën kanë arritur marrëveshje lidhur me targat, ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka shkruar Borrell në Twitter.