Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar një hetim për krime lufte ndaj veprimeve të Rusisë në Siri, duke argumentuar se Moska i detyrohet botës të japë shpjegime.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se sulmet ajrore ruse dhe ato siriane ndaj spitaleve të punonjësve vullnetarë të emergjencave “kërkojnë të ndërmerret një hetim i posaçëm për krime lufte”.
Kryediplomati amerikan shtoi se sulme të tilla janë përtej të qenit “aksidentalë” në këtë pikë të konfliktit civil sirian, ndërsa akuzon Moskën dhe Damaskun se kanë ndërmarrë “një strategji shënjestrimi për të terrorizuar civilët”.
Kerry, i cili ka folur në Uashington gjatë një konference bashkë me homologun e tij francez, Jean-Marc Ayrault, tha se forcat siriane kanë goditur një tjetër spital përgjatë natës, duke lënë të vrarë 20 persona dhe plagosur 100 të tjerë.
Rusia e nisi fushatën ajrore në Siri mbi një vit më parë, duke përmbysur rrjedhën e luftës civile afro 6-vjeçare në Siri, e duke ndihmuar forcat e Assadit të arrijnë fitore në territore kyçe. Moska justifikon veprimet e saj me faktin se po ndihmon ushtrinë siriane të luftojë terrorizmin.