ShBA mbyll "dyert", masa kundër myslimanëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    ShBA mbyll “dyert”, masa kundër myslimanëve

    Insajderi
    28 January 2017 - 12:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me urdhërin ekzekutiv të radhës, republikani i ndalon hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve sirianë, deri në një njoftim të dytë. Ai pezulloi gjithashtu me 3 muaj lëshimin e vizave për shtetasit nga 6 vende të tjera me shumicë myslimane, përfshirë Iranin, Irakun, Jemenin e Libinë. Mbi bazë të urdhrit të firmosur në Pentagon pas ceremonisë së betimit të sekretarit të ri të Mbrojtjes, gjeneral James Mattis, është pezulluar edhe pranimi i të gjithë refugjatëve për 4 muaj.

    “Masat e reja synojnë të mbajnë larg Amerikës terroristët islamikë. Ne duam të pranojmë, vetëm ata që do të mbështesin vendin tonë dhe do të duan popullin amerikan”, tha Trump.

    Përmbajtja e urdhrit u publikua disa orë pas nënshkrimit, e ndër të tjera aty thuhet se në të ardhmen do të kenë prioritet ato aplikantë që përndiqen për shkak të besimit të tyre, por vetëm nëse ata janë pjesë e një minoriteti në atdheun e tyre.

    Në 2017 do të mund të pranohen deri në 50 mijë refugjatë, sa gjysma e kufirit të vendosur nga paraardhësi i Trump, Barack Obama.

    Në një intervistë televizive të transmetuar më herët gjatë së premtes, miliarderi tha se të krishterët do të kenë prioritet mes sirianëve që do të aplikojnë për statusin e refugjatit në të ardhmen.

    Vendimi ngjalli zemërimin e demokratëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut, që këmbëngulin se nuk ka lidhje mes refugjatëve sirianë në SHBA dhe terrorizmit. Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill De Blasio e quajti të turpshëm mesazhin që po përcillte Trump-i, që sipas tij binte ndesh me idealet amerikane.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark