![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili është dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte.
Gjykata Speciale, me seli në Hagë, funksionon sipas ligjeve të Kosovës. Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale, më 16 dhjetor, është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.
“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për media.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij.
Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.