Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se pesë njerëz janë vrarë në vendin e tyre të punës, afër qytetit Orlando në Floridë.
Sherifi i Qarkut Orange, Jerry Demings, u tha sot reporterëve se personi i armatosur ishte një ish i punësuar i pakënaqur, që ishte shkarkuar në muajin prill.
Demings tha se ky person i armatosur e ka vrarë edhe vetveten.
Katër vetë ishin vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pesti kishte vdekur në spital, tha Jerry Demings.
Sipas tij, besohet se të shtënat nuk kanë asnjë lidhje me terrorizëm.
Demings tha se sulmuesi i dyshuar, 45 vjeçar, i cili nuk është identifikuar publikisht, ishte i involvuar në incidente të mëparshme të dhunshme në vendin e punës.
Por, në këtë rast ai nuk ishte akuzuar, njofton rel.
Orlando ishte vendi i të shtënave masive nga një person i armatosur, i cili i vrau 49 vetë në një klub të natës të homoseksualëve në qershor të vitit 2016.