Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha të hënën se “Shtetet e Bashkuara po pezullojnë pjesëmarrjen e tyre në kanalet dypalëshe me Rusinë që ishin vendosur për të mbështetur ndërprerjen e luftimeve”. “Nuk është një vendim që u mor lehtë”, tha ai.
Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërcënoi se do t’u jepej fund bisedimeve me Rusinë për shkak të bombardimeve të saj të vazhdueshme në qytetin sirian të Aleppo.
SHBA, tha Departamenti i Shtetit, nuk kanë kursyer asnjë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes me Rusinë për pakësimin e dhunës, por fatkeqësisht Moska nuki i mbajti angazhimet.
Përkundrazi, thuhej në deklaratën e DASH, Rusia dhe regjimi sirian zgjodhën të ndjekin një kurs ushtarak, siç duket edhe nga shtimi i sulmeve të tyre ndaj zonave civile, ku kanë vënë shënjestër objekte të rëndësishme civile, si spitalet.
Në deklaratë përmendej sulmi i 19 shtatorit ndaj një autokolone humanitare me ndihma.
RUSIA PEZULLON MARRËVESHJEN ME SHBA PËR PLUTONIUMIN
Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të hënën një dekret që pezullon marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për asgjësimin e plutoniumit që përdoret për prodhimin e armëve. Ai përmendi si arsye veprimet sipas tij “jomiqësore” të Uashingtonit.
Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje “të garantojnë zbatimin e detyrimeve të tyre për përdorimin e sasive të tepërta të plutoniumit.
Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në vitin 2000 dhe ripërtëritur në 2010, kërkonte që dy fuqitë bërthamore të asgjësojnë nga programet e tyre të mbrojtjes plutoniumin që përdoret për prodhimin e armëve.
Në bazë të marrëveshjes së vitit 2010, të nënshkruar nga Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe pastaj nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, secila palë do shkatërronte 34 tonë plutonium duke e djegur atë në reaktorët bërthamorë.