Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që i kanë nënshkruar në procesin e dialogut, duke përfshirë edhe fillimin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Ai theksoi se me veprimet dhe retorikën dhunë-nxitëse, mund të rrezikohen jetët e pafajshme, por edhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.
“Veprimet dhe retorika që rrit mundësinë e dhunës, i vë jetët e pafajshme dhe të atyre të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren në rrezik të panevojshëm. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara në procesin e dialogut, këtu përfshihet edhe nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, deklaroi zëdhënësi i DASH-i.
Price tha se edhe SHBA-ja, sikurse BE-ja, është e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ai shtoi se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk kontribuon qetësimit të situatës, mirëpo mund të rrisë tensionet në terren.
“Ne pajtohemi me BE-në se zhvillimet e fundit janë shqetësuese. I vënë në rrezik arritjet e rëndësishme të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Largimi i serbëve nga institucionet nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjen aktuale, madje ka potencial për të rritur tensionet në terren. Të gjitha palët duhet të marrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, tha Price në këtë konferencë.