Pesë vjet nga sulmet ajrore që i dhanë fund regjimit të Gadafit në Libi, Shtetet e Bashkuara janë rikthyer me bombardime në vendin e Afrikës së Veriut këtë herë me një tjetër objektiv.
Pentagoni konfirmoi se ka ndërmarrë disa sulme ajrore në zonën e Sirtes, në shënjestër të të cilave kanë qenë bazat e ISIS-it.
Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook deklaroi se sulmet janë bërë me kërkesë të qeverisë libiane dhe të autorizuara nga Presidenti Barack Obama dhe kreu i Pentagonit, Ashton Carter. Zëdhënësi paralajmëroi se sulmet do të vazhdojnë.
“Synimi është që të mos lejojmë që ISIS-i të krijojë ‘parajsë’ terrori në Libi, ndaj sulmet do të vazhdojnë edhe në ditët që vijnë”, tha Cook.
Ndërkohë, kryeministrin libian, Fayez al-Serraj është vënë në qendër të kritikave të rivalëve politikë, që e akuzojnë atë se ka shkelur sovranitetin e vendit. Në muajin maj ai kërkoi ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara, ndërsa me konfirmimin e ndërhyrjes amerikane, u shpreh se gjithçka është bërë në koordinim të plotë me institucionet e tjera të sigurisë kombëtare.