Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë konfirmuar se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje me Tajvanin për t’i shitur armë në vlerë prej 1.3 miliardë dollarë, që do të ishte marrëveshja e parë për shitblerje armësh në kohën e presidentit Trump, pasi paraprakisht Tajvani në vitin 2015, në kohën e presidentit Obama, bleu armë amerikane në vlerë prej 1.83 miliardë dollarë.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha se administrata e Trumpit kishte njoftuar Kongresin për qëllimin e saj për të miratuar shtatë marrëveshje të propozuara të cilat kërkojnë miratimin e Kongresit.
Ligjvënësit, të cilët në përgjithësi në mënyrë të fuqishme përkrahin shitjet e tilla, kanë 30 ditë kohë për të miratuar propozimin.
Nauert tha më tej se kjo marrëveshje nuk shkel “Aktin për Marrëdhënie me Tavanin” që rregullon marrëdhëniet e SHBA-ve me ishullin. “Kjo shfaq besimin tonë për aftësinë e Tajvanit që të mbajë një politikë vetëmbrojtëse”, u tha Nauert gazetarëve, për të shtuar se nuk ka asnjë ndryshim në politikën amerikane për “një-Kinë”.
Ambasadori i Kinës në SHBA, Cui Tiankai, kritikoi vendimin e fundit amerikan duke thënë se veprimet e fundit kanë zbehur besimin e ndërtuar gjatë takimit të presidentit Trump me homologun e tij kinez Xi Jinping në prill të këtij viti, raporton AA.
Sipas burimeve nga institucionet amerikane të mbrojtjes, shitja përfshin 400 milionë dollarë radar për paralajmërim të hershëm, si dhe torpedo, raketa dhe pajisje për raketa.
Donald Trump ndezi polemika në dhjetor të vitit 2016, atëherë kur realizoi një bisedë telefonike me presidenten tajvaneze Tsai Ing-een, që ishte kontakti i parë i tillë i drejtpërdrejtë që nga viti 1979.