Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë vrarë dhe kanë plagosur dhjetëra njerëz në një kamp të Al Kaidës në Jemen, ka bërë të ditur Pentagoni.
Zëdhënësi Peter Cook ka thënë se kampi i trajnimit ka qenë në një mal dhe se është përdorur nga më shumë se 70 terroristë.
“Vlerësimi ynë fillestar është se dhjetëra luftëtarë të Al Kaidës janë hequr nga fusha e betejës”, ka thënë Cook.
Një zyrtar i Jemenit i ka thënë agjencisë AP se rreth 40 njerëz janë vrarë dhe plagosur në qarkun Brom Maifa.
Jemeni është copëtuar nga një luftë midis rebelëve shiitë Huthi dhe qeverisë, duke i dhënë Al Kaidës mundësi për t’u zgjeruar dhe për të kapur territore.