Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka shitur rreth 5 miliardë dollarë aksione të kompanisë së prodhimit të makinave elektrike.
Shitja ndodhi disa ditë pasi ai pyeti 63 milionë ndjekësit e tij në Twitter nëse duhet të shiste 10% të aksioneve të tij nga Tesla.
Aksionet e kompanisë u zhvlerësuan me rreth 16% në dy ditë pasi sondazhi doli në favor të shitjes së tyre, përpara se të rifitonte terren të mërkurën.
Tesla është prodhuesi më i vlefshëm i makinave në botë, me një vlerësim në bursë prej më shumë se 1 trilion dollarë.
Musk shiti pothuajse 3,6 milionë aksione në Tesla, me vlerë rreth 4 miliardë dollarë.
Ai gjithashtu shiti 934 000 aksione të tjera për rreth 1,1 miliardë dollarë.
Dokumentet treguan se shitja e rreth një të pestës së aksioneve ishte bërë në bazë të një plani të paracaktuar të krijuar në shtator, shumë përpara postimeve të Musk në mediat sociale në fundjavë për shitjen e disa prej aksioneve të tij./A2/