Shefi i komisariatit të policisë akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefi i komisariatit të policisë akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike

    Insajderi
    01 March 2017 - 13:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur në kërkim shefin e rendit të Komisariatit të Policisë së Kurbinit, Ylli Vata. Ai akuzohet për veprat penale “Kultivimi i lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

    Për këto akuza, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar në mungesë edhe masën e sigurisë arrest me burg, masë e cila nuk është ekzekutuar, pasi oficeri Vata nuk është paraqitur më në detyrë që nga momenti kur është marrë vendimi i gjykatës, duke iu shmangur drejtësisë.

    Sipas hetimeve të kryera, shefi i rendit në Komisariatin e Kurbinit, ka bashkëpunuar me një grup kriminal në kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit.

    Grupi në fjalë është goditur në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur u arrestuan 7 persona, një prej të cilëve efektiv policie.

    Nga hetimet ka rezultuar se organizatori i grupit, Lefter Neli kishte marrëveshje me shefin e rendit, Ylli Vata, se nuk do të pengohej në aktivitetin e tij kriminal.

    Këtë fakt, përveç hetimeve dhe dëshmive të personave të arrestuar, prokuroria e argumenton edhe me faktin që aksionet e policisë kundër parcelave me kanabis në zonën e Kurbinit dhe që drejtoheshin nga Vata, në asnjë rast nuk kanë ndërhyrë në parcelat e Lefter Nelit./Top Channel/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark