
Për përfaqësuesin special të OKB-së në Kosovë, saktësisht shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin, prania e UNMIK-ut në Kosovë është ende e nevojshme.
“Misioni ynë mbetet unik, jo vetëm për atë çfarë është por edhe për atë që nuk është. UNMIK nuk e administron Kosovën. Nuk është strukturë paralele. Nuk është pengesë për asnjë objektiv, asnjë institucion apo individ”, citohet të ketë thënë në fjalën e tij në Këshillin e OKB-së, shefi i UNMIK-ut.
Sipas tij, UNMIK-u mbetet i rëndësishëm për mbështetjen dhe funksionin si urë-lidhëse mes OKB-së dhe komuniteteve në Kosovë.
“Ne kemi dhënë kontributin tonë për të ndihmuar zonat ku mund të nxisim përmbushjen e mandatit tonë për çështjen e të drejtave të njeriut, për shembull”, citohet të ketë thënë Tanin.
Sipas tij, UNMIK-u si organ i OKB-së në Kosovë në terren ata janë duke punuar ngushtë me institucionet e Kosovës, dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të nxitur luftën kundër korrupsionit dhe të sigurojë funksionimin e ligjit.
“Por misionit tonë i nevojitet mbështetja e Këshillit të Sigurimit, për të punuar së bashku me udhëheqjen e Prishtinës dhe Beogradit bashkë me institucionet e tjera”, ka thënë Tanin në fund të fjalimit të tij./Insajderi.com