Shembet shkolla islame në Indonezi, dhjetëra studentë të bllokuar, 3 të vdekur dhe 99 të lënduar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Shembet shkolla islame në Indonezi, dhjetëra studentë të bllokuar, 3 të vdekur dhe 99 të lënduar

    Insajderi
    30 September 2025 - 12:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ekipet e shpëtimit në Indonezi po garojnë me kohën për të shpëtuar dhjetëra studentë dhe punëtorë të bllokuar nën rrënojat e një shkolle islame që u shemb të hënën në mbrëmje në qytetin Sidoarjo të Javas Lindore.

    Të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 99 të tjerë janë shtruar në spital, disa në gjendje kritike, sipas autoriteteve vendase. Shifrat mund të rriten pasi të paktën 38 persona, shumica djem adoleshentë, mbeten të zhdukur nën rrënoja.

    Ngjarja ndodhi në Shkollën Islamike me Konvikt Al Khoziny, ku studentët ishin mbledhur për lutje kur godina dykatëshe u shemb. Vajzat ndodheshin në një pjesë tjetër të objektit dhe fatmirësisht shpëtuan.

    Mediat e huaja raportojnë se ndërtesa kishte themele të paqëndrueshme dhe nuk ishte projektuar për dy kate shtesë që ishin ndërtuar pa leje.

    Familjarët e të zhdukurve kanë ngritur kampe pranë shkollës dhe po presin me ankth lajme për të fëmijet e tyre.

    Drejtuesi i shkollës, KH Abdus Salam Mujib, kërkoi falje ndaj familjeve të viktimave, duke e quajtur ngjarjen “vullnet i Zotit” dhe shprehu shpresën që Zoti do t’i shpërblejë humbjet me diçka më të mirë.

    Autoritetet lokale deklaruan se shkolla nuk kishte marrë leje ndërtimi për shtesat e reja, duke ngritur shqetësime serioze për mbikëqyrjen e institucioneve fetare edukative në vend.

    Al Khoziny është një shkollë tradicionale islame me konvikt, e cila fokusohet në mësimin e Kuranit dhe ligjit islam, por që gjithashtu ofron arsim të përgjithshëm.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark