Bosnja sot shënon 21- vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe hynë në qytetin e Srebrenicës dhe vranë mbi 8 mijë burra myslimanë.
Masakra, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sot, kur edhe shënohet 21-vjetori i masakrës, në qendrën përkujtimore Potoçari në Bosnje do të varrosen mbetjet e 127 viktimave, të identifikuara së voni, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në vitin 2004, Gjykata e Kombeve të Bashkuara që ka trajtuar krimet në ish-Jugosllavi, i ka emërtuar vrasjet në Srebrenicë si gjenocid.
Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar në muajin mars me 40 vjet burg për krime lufte në Srebrenicë, ndërsa ish-udhëheqësi ushtarak, Ratko Mlladiq, është ende në gjyq në Hagë.
Serbët e Bosnjës mohojnë se vrasjet kanë qenë gjenocid dhe lideri i tyre, Millorad Dodik, ka thënë se numri i viktimave është “gënjeshtër”.
Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë ka miratuar një rezolutë historike, me të cilën ka kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës. Rezoluta thotë se Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë.
Në 21-vjetorin e masakrës, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se kujtimi i këtij krimi të tmerrshëm është i rëndësishëm, por “edhe më e rëndësishme është të parandalohet një gjë e tillë në të ardhmen”.
Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të veprojnë ngjashëm.