
Zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka folur për takimin e zhvilluar mes kreut të kësaj partie, Fatmir Limaj, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkruan Insajderi.
Sherifi tha se takimi ishte shumë konstruktiv, edhe pse nuk dha detaje të plota rreth temave konkrete që u diskutuan.
“Abdixhiku e ka ftu, kanë kaluar mirë. Kanë shprehur shqetësimet për zhvillimet në Kosovë dhe kanë biseduar për mënyrën se si mund të ecet përpara,” tha Sherifi.
Ai shtoi se gjatë takimit janë trajtuar çështje me interes të përbashkët dhe janë shkëmbyer ide për të ardhmen politike të vendit, por vendimi për të bërë publike pjesë të bisedës i mbetet vetë Abdixhikut dhe Limajt.
“Nuk mund të jap detaje, kanë pasur disa biseda interesante, që ju mbetet atyre të dyve të bëjnë publike se për çka mund të merren vesh në të ardhmen. Mund t’ju siguroj që takimi ka qenë shumë konstruktiv,” tha Sherifi në Pressing.
Gjatë ditës, Limaj e ka vlerësuar takimin me Abdixhikun “jashtëzakonisht të mirë”, ku ka theksuar edhe për çka kanë biseduar me të.
“Ka qenë një takim shumë i mirë. Kemi biseduar për zhvillimet politike, ekonomike, rajonale dhe angazhimet tona. Në shumë drejtime kemi një këndvështrim të zhvillimeve dhe me rëndësi që po ndodhin këto takime. Apeli im dhe kërkesa ime është që të arrijmë marrëveshjë. Ka qenë edhe kjo temë interesante dhe besoj që në ditët në vazhdim do të takohemi”, ka deklaruar Limaj, ku ka thënë se është i hapur të takohet me të gjithë. /Insajderi.org/