
Një konflikt mes disa të rinjve ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në një prej blloqeve kryesore të banimit në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.
Ngjarja, e cila ndodhi në një nga rrugët kryesore të qytetit, ka përfunduar me përdorimin e mjeteve të mprehta, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas burimeve paraprake, njëri nga të plagosurit ka marrë goditje me thikë në trup dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, një tjetër person ka përfunduar në spital me plagë më të lehta.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar dy persona në komisariat, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në përplasjen e ndodhur mes të rinjve. Paraprakisht dyshohet se përplasja ka ndodhur për motive të dobëta.
Grupi hetimor dhe policia ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./Euronews Albania