Pavarësisht qasjeve të përbashkëta, BE duket se nuk po gjen paqe sa i takon çështjes së emigrantëve.
Franca dhe Spanja janë shprehur kundër idesë së lejimit të zbarkimit të emigrantëve në portet e tyre.
Ndërkohë, Austria ka kërcënuar se do të vendosë ushtrinë në Brenero nëse fluksi i emigrantëve nga Italia në drejtim të saj nuk do të reduktohet.
Ka qenë ministri i Mbrojtjes Hans Peter Doskozil që ka paralajmëruar këtë masë për të përditshmen “Kronen Zeitung”.
“Besoj se shumë shpejt do të na duhet të vendosim kontrolle në kufij dhe do të ketë nevojë për një angazhim të ushtrisë. Austria është gati të vendosë deri në 750 ushtarakë në Bernero nëse fluksi i emigrantëve nga Italia nuk bie”, ka thënë ministri.
Ndërkohë, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker do të jetë këtë të martë në seancën plenare të Parlamentit Europian për një debat politik mbi masat për të lehtësuar presionin e flukseve migratore.