Sheshelit i ndalohet hyrja në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Sheshelit i ndalohet hyrja në Kosovë

    Insajderi
    09 April 2016 - 08:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një javë pasi u lirua nga akuzat për krime lufte, ultra-nacionalistit serb, Vojsllav Sheshel, i është ndaluar hyrja në Kosovë dhe është shpallur person i padëshiruar në këtë vend, ka njoftuar sot Ministria e Punëve të Jashtme.

    Vendimi i 31 marsit i Tribunalit të Hagës për ta liruar Sheshelin nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftërat e Ballkanit, në vitet ’90, ka shkaktuar zemërim në mesin e viktimave.

    Vendimi u kritikua menjëherë nga Bosnja dhe Kroacia. Disa orë pas shpalljes së vendimit, Zagrebi ia ndaloi Sheshelit hyrjen në Kroaci, përderisa Sarajeva tha se po e konsideronte një masë të ngjashme.

    “Hyrja e Sheshelit nuk lejohet në Kosovë për arsye që tashmë janë të qarta për mijëra viktima të fjalëve dhe veprave të tij vdekjeprurëse në Ballkan”, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, Petrit Selimi, ministër i Jashtëm i Kosovës.

    Shesheli, i cili planifikon të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit në Serbi, ka thënë se ai dëshiron ta vizitojë Kosovën.

    Selimi shpjegoi se bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Prishtina e ka fjalën e fundit lidhur me lejimin e zyrtarëve të mëparshëm apo të tanishëm serbë për të hyrë nga Serbia në Kosovë./rel


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark