Komuna e Prishtinës, ka tejkaluar parashikimet buxhetore në tenderin 18.4 milionë për sheshin “Xhorxh Bush”. Ndërsa edhe organizatat kanë ngritur dyshimet për favorizime duke filluar nga kriteret e caktuara, tek afati kohor për dorëzimin e ofertave e deri të planifikimi buxhetor. Nga Komuna e Prishtinës nuk janë përgjigjur lidhur me këto akuza.
Gazeta Insajderi
Komuna e Prishtinës, kishte planifikuar në buxhetin e vitit 2024 ndërtimi e këtij sheshi në një vlerë prej 500 mijë eurosh.
Ndërsa tani në e-prokurim është publikuar në shumën e planifikuar prej 18.4 milionë euro.
Në dosjen e tenderit jepen detaje për punët që do të kryhen, ku janë të ndara në Sheshin e Katedrales, atë te shkolla, komercial, qendror, i koncerteve, i rekreacionit dhe i studentëve.
Komuna e Prishtinës, në këtë tender ka shkurtuar afatin kohor për pranimin e ofertave nga operatorët, duke caktuar një afat prej ditësh 21 ditësh.
Ndërsa sipas ligjit afati kohor për pranimin e tenderëve është 40 ditë, shkruan Insajderi.
“Gjatë një prokurimi që zbaton procedurën e hapur, autoriteti kontraktues do të caktojë një afat
kohor për pranimin e tenderëve që është: 2.1. kur kontrata përkatëse është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se dyzet ditë”, thotë ligji.
Dyshimet për shkelje ligjore nga Komuna e Prishtinës
Organizata INPO, ka alarmuar për shkeljet ligjore nga Komuna e Prishtinës në tenderin mbi 18 milionë euro për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Sipas një komunikate nga INPO, thuhet se janë evidentuar një numër shkeljesh materiale dhe procedurale ligjore, rregullave të prokurimit dhe normave të tjera për menaxhimin e parasë publike.
Krahas kësaj, INPO vëren se nënshkrimi i DNPDF-së nga Drejtorja e Financave, është joligjore, për faktin se e njëjta nuk ka të drejtë të ushtroj funksionin e Zyrtarit Kryesor Financiar. Autorizimi i saj në këtë proces paraqet konflikt interesi dhe bie në kundërshtim me nenin 12, paragrafët 1 dhe 3 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Në vështrim të këtyre dispozitave, Zyrtari Kryesor Financiar duhet të jetë shërbyes civil dhe asesi nuk lejohet që këtë funksion ta ushtroj një zyrtar i emëruar politik, sikurse ka ndodhur në rastin konkret.
Ndërsa për kriteret e vendosura INPO, i ka vlerësuar si diskriminuese dhe favorizuese.
“Tutje, INPO vlerëson se për këtë aktivitet të prokurimit janë vendosur kërkesa shumë të larta jo proporcionale, jorelevante, diskriminuese dhe favorizuese te pjesa e kapacitetit teknik dhe profesional. Këto kushte jo të drejta vijnë në shprehje që me rastin e kërkesave lidhur me përvojën e punës së personelit të kërkuar (10 vite pas diplomimit), kërkesave për certifikim në pozitat e caktuara, trajnimeve përkatëse, pastaj mjeteve teknike të cilat nuk korrespodojnë me nevojat apo domosdoshmërinë e projektit, specifikave të tyre“, thuhet në komunikatën e INPO.
Gazeta Insajderi për të gjitha këto dyshime ka pyetur edhe Komunën e Prishtinës, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.