Shifra alarmante të aksidenteve në Kosovë, Ministria lehtëson formatin e testimit për patentë shoferë| Eksperti i komunikacionit: Mund të përkeqësohet situata, vijnë në rrugë shofer të papërgatitur - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Shifra alarmante të aksidenteve në Kosovë, Ministria lehtëson formatin e testimit për patentë shoferë| Eksperti i komunikacionit: Mund të përkeqësohet situata, vijnë në rrugë shofer të papërgatitur

    Insajderi
    21 February 2025 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Formati i testit teorik për patentë shofer në Republikën e Kosovës, është ndryshuar me vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës. Tani më pyetjet nuk do jenë të vështira dhe konfuze, pasi do të kenë vetëm një përgjigje të saktë. Ndryshe nga e kaluara që ka pasur 2-3 përgjigje të sakta, formë kjo që i ka shtyrë kandidatët të mendojnë më shumë rreth pyetjes.

    E ky sistem i ri i testimit vlen për kandidatët për patentë shofer në kategorinë B, që nga 18 shkurti.

    “Ky sistem synon të përmirësojë procesin e testimit dhe të sigurojë që kandidatët të kenë njohuri të përditësuara mbi rregullat e trafikut dhe sigurinë rrugore. Me publikimin e doracakut zyrtar, kandidatët kanë një burim të standardizuar për përgatitje, duke mundësuar një qasje më të strukturuar dhe të unifikuar në mësimin e materialit të nevojshëm për provimin e patentës së shoferit”, thuhet në grafikën e MMPHI-së.

    Duke u bazuar në numrin e aksidenteve në vendin tonë, dyshohet të jetë vendim i duhur, ky lehtësim.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Policia e Kosovës raportin e aksidenteve për vitin 2024.

    Përgjatë vitit të kaluar (2024) në vendin tonë janë regjistruar 22 mijë e 586 aksidente, duke përfshirë kështu aksidente me dëme nga 14.356, me lëndime 8.141 dhe me fatalitet 89.

    Në po të njëjtën periudhë, janë shqiptuar 724.493 gjoba trafiku.

    Si dhe 97 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve, kështu bën të ditur për Insajderin, Policia e Kosovës.

    Bazuar në këto shifra, dhe përkundër tyre, është lehtësuar formati i tesimit teorik për kandidatë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit Bekim Ahmeti, që të na flasë më shumë rreth këtij vendimi.

    Ahmeti deklaroi se lehtësimi i kësaj procedure për marrjen e patentë shoferin, mundet me pas implikime serioze, duke u bazuar në kontekstin e Kosovës ku numri i aksidenteve rrugore ka qenë në rritje, veçanërisht gjatë vitit 2024.

    Ai ka përmendur disa prej rreziqeve potenciale që ndikojnë nga lehtësimi i procedurës teorike për marrjen e patentë shoferit.

    Ulja e Cilësisë së Testimit: Nëse procedurat bëhen më të thjeshta, mund të komprometohet cilësia e testimeve teorike dhe praktike, duke sjellë në rrugë drejtues mjetesh më pak të përgatitur.

    Siguria Rrugore: Për një vend ku aksidentet janë tashmë një problem i madh, çdo ulje e standardeve të testimit mund të përkeqësojë situatën. Një shofer i papërgatitur është një rrezik potencial për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    Rritja e Korrupsionit: Përmendja e arrestimeve për marrje të lejes me pagesë është një indikator shqetësues. Nëse procedurat lehtësohen, ekziston mundësia që kjo të rrisë hapësirat për korrupsion, duke bërë që patentat të merren më shumë përmes lidhjeve dhe pagesave, sesa përmes meritës dhe përgatitjes reale”.

    Ahmeti poashtu tha se ky vendim duhet rishikuar me shumë kujdes. Ai shtoi se mund të ketë lehtësime në aspektet administrative, por jo në ato të testimit të njohurive dhe aftësive praktike.

    “Personalisht, si një ekspert i trafikut dhe sigurisë rrugore, do të thoja që ky vendim duhet rishikuar me shumë kujdes. Lehtësimi i procedurave duhet të bëhet vetëm nëse ka një analizë të detajuar që tregon se kjo nuk do të komprometojë sigurinë. Për shembull, mund të ketë lehtësime në aspektet administrative, por jo në ato të testimit të njohurive dhe aftësive praktike.

    Masa shtesë për parandalimin e korrupsionit: Duhet të forcohen mekanizmat e kontrollit për të parandaluar rastet ku patentat merren me anë të pagesave apo lidhjeve personale“.

    Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, theksoi edhe disa rekomandime, rreth kësaj çështje:

    “Në vend të lehtësimit të procedurave, ndoshta do të ishte më efektive: Përmirësimi i programeve të trajnimit për drejtuesit e rinj. Rritja e standardeve të testimit, sidomos për testin praktik. Edukimi i vazhdueshëm për shoferët, me kurse të detyrueshme për rifreskimin e njohurive për sigurinë rrugore”.

    Tutje, Bekim Ahmeti dha edhe disa arsye pse ky vendim duhet rishikuar nga Ministria

    Unë mendoj se ky vendim duhet rishikuar me shumë kujdes nga Ministria. Siguria Rrugore: Duke pasur parasysh numrin e lartë të aksidenteve, lehtësimi i procedurave mund të çojë në uljen e standardeve të sigurisë për drejtuesit e rinj të mjeteve Standardet e Edukimit për Shoferët: Procedurat e lehtësuara shpesh nënkuptojnë më pak trajnim dhe testim më të thjeshtë, gjë që mund të ndikojë negativisht në përgatitjen e shoferëve për situatat reale në trafik.

    “Pra, nëse Ministria vërtet dëshiron të përmirësojë procesin e marrjes së patentë shoferit, duhet të bëhet me qëllim të rritjes së cilësisë dhe sigurisë, dhe jo vetëm për të thjeshtuar procedurat burokratike“, tha për fund Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.

    Gazeta Insajderi ka kontakuar edhe me Ministrinë e Infrastrukturës. Siç thuhet në përgjigjen e tyre, ndonëse testi mund të lehtësohet në aspektin procedural, testimi ka ruajtur standardet e nevojshme për të siguruar që shoferët e rinj të janë të aftë dhe të ndërgjegjshëm për sigurinë rrugore.

    Tutje shtohet se cilësia e testimit dhe aftësimit praktik të kandidatëve është përgjegjësi e Autoshkollave.

    “Është e rëndësishme që çdo dokument të përditësohet, si dhe rasti i testimit të kandidatëve për patent shofer (dokument i cili nuk është përditësuar nga viti 2017), ndonëse testi mund të lehtësohet në aspektin procedural, por testimi ka ruajtur standardet e nevojshme për të siguruar që shoferët e rinj të janë të aftë dhe të ndërgjegjshëm për sigurinë rrugore”.

    Përkundrazi, nëse lehtësimet bëhen vetëm në aspektin procedural, por jo në cilësinë e testimit dhe aftësimit praktik të kandidatëve që është përgjegjësi e Autoshkollave, atëherë ndikimi në sigurinë rrugore mund të jetë minimal”, thuhet në përgjigjen e MMPHI.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark